
Arrestohet në Rusi, Salvador Aliu (Shpëtim Aliu), i njohur si bosi i kokainës në Elbasan dhe i trafikimit ndërkombëtar të saj.
Policia njoftoi mbrëmjen e sotme se ndaj 51-vjeçarit, në muajin qershor, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Aliu njihej si trafikant i dhjetëra tonëve kokainë të nisur nga Ekuadori dhe Kolumbia, në portet e Belgjikës dhe Holandës për t’u shitur në vendet e Bashkimit Europian.
Më tej paratë e siguruara dyshohet se pastroheshin në Tiranë, Elbasan dhe brigjet e Jugut.
E gjithë kjo sipërmarrje ka në krye ka një person për të cilin askund nuk ishte folur me parë pasi Salvatore Aliu kishte zgjedhur të ishte hije dhe të drejtonte një nga organizatat me të fuqishme të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Evropë.
Siç ka raportuar më herët MCN, i vendosur prej vitesh në Ekuador, Aliu nuk ishte një trafikant i thjeshtë, ai kishte korruptuar ushtarakë të marinës, forca policore, punonjës të porteve dhe madje edhe punonjës brenda kompanive më të mëdha të transportit ndërkombëtar si Maersk, MSC dhe Hapag Lloyd.
Ai merrte informacion në kohë reale se cilët kontejnerë nuk do të kontrolloheshin dhe kjo e kishte bërë më të suksesshmin në tregun e kokainës. Grupet kriminale shqiptare që shpërndanin kokainën në Europë kishin gjetur partnerin ideal pasi Aliu ofronte siguri, cilësi të mallit dhe sasi të mëdha.
Por perandoria e Aliut do të goditej fort këtë qershor ku SPAK i caktoi masën e sigurisë arrest me burg atij dhe 9 personave të tjerë. Një megadosje që mban brenda sekuestrimin e mbi 9 tonëve kokainë dhe dyshimin se ky grup ka trafikuar rreth 50 tonë kokainë në tregun e BE-së në një periudhë prej gati dy vitesh.



