
Pas mbylljes së gjysmës së kampionatit, vëmendja e klubeve shqiptare është përqendruar te merkato e dimrit, ku skuadrat po tentojnë të forcohen për fazën e dytë të sezonit.
Në një analizë për ‘MCN Informacion’, menaxheri i futbollit Tami Kona thekson se në kampionatin shqiptar ka kaluar koha kur kishte lojtarë që shënonin mbi 20 gola në sezon.
Sot ka ikur koha që në kampionatin shqiptar të kemi lojtarë që shënojnë më shumë se 20 gola. Klubet do ta vuajnë mungesën e ‘bomberëve’, sepse këta janë të rrallë.
Aktualisht si bomber kryesor mund të konsiderohet Balaj, i cili në fund të kampionatit ka arritur një numër të mirë golash, pavarësisht se një pjesë e tyre kanë ardhur nga penalltitë në favor të Vllaznisë. Edhe këta janë gola, pasi Balaj është një futbollist që di të ekzekutojë penalltitë, edhe pse ka pasur raste kur i ka humbur ato.
Gjithsesi, ka ikur koha kur kampionati shqiptar kishte lojtarë si Fortuzi apo Peçi, që ka luajtur me ‘Skënderbeun’ dhe ‘Dinamon’. Lojtarë të tillë sot nuk ka më.
Kona thekson se problemi kryesor lidhet me menaxhimin e klubeve.
Në futbollin shqiptar ka shumë lëvizje në nivelet drejtuese, gjë që ndikon negativisht në ndërtimin e skuadrave.
Në klubet shqiptare drejtorët shkojnë e vijnë shpesh. Shumë presidentë përpiqen të ndërtojnë burimet njerëzore të klubit, por kjo nuk bëhet pa stabilitet.
Drejtuesit e klubeve të Kategorisë Superiore duhet të funksionojnë ndryshe, trajneri mund të ndryshojë, por drejtori sportiv nuk duhet të lëvizë vazhdimisht.



