
Agustin Torassa ka gjetur ekipin e ri, pas largimit nga skuadra e Tiranës. Sulmuesi argjentinas do të vazhdojë karrierën në kampionatin kosovar, teksa ka firmosur me skuadrën e Gjilanit.
Këta të fundit pasi arritën marrëveshjen me Elton Cale, tashmë kanë marrë edhe një tjetër lojtar, që ishte pjesë e Tiranës në dy sezonet e fundit.
“Jam këtu në këtë klub pasi njoh shumë lojtarë. Më kanë folur fjalë shumë të mira për këtë klub dhe nuk kisha dyshime për të ardhur. Kjo është sfidë e re për mua, pasi është hera e parë që ndodhem në këtë vend. Jam këtu për të ndihmuar klubin për të arritur objektivat. Unë nuk kam frikë të them që do luftojmë për titullin që në ditën e parë. Dua të dëshmoj që mund të bëj gjëra të mëdha dhe së bashku me pjesën tjetër mund të bëjmë gjëra të mëdha. Njerëzit këtu më kanë trajtuar shumë mirë. Unë dhe familja ime u jemi mirënjohës dhe do t’ua shpërblejmë. Tifozëve u premtoj që do jap maksimumin, ashtu siç kam bërë në secilin klub ku kam luajtur. Objektivi ynë është i qartë”, u shpreh Torassa për faqen e klubit.



