
Ditën e sotme, duke filluar nga ora 21:00, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, do të zhvillohet finalja e Conference League, mes Romës dhe Feyenoord.
Në prag të kësaj sfide, FSHF, ka organizuar një drekë, ku të pranishëm ishin figura të njohura, duke filluar që nga Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, zyrtarë të lartë të qeverisë së futbollit europian, presidentë federatash, drejtues dhe legjenda të klubeve finaliste, Roma dhe Feynoord.
Në këtë drekë ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi, Ambasadori shqiptar i UEFA Conference League, Lorik Cana, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdiu, si edhe drejtues e anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Përveç zyrtarëve më të lartë të UEFA-s këtij takimi iu bashkuan edhe legjenda e Romës, Françesko Totti, dhe ish-futbollistët e famshëm Luigi Di Biagio, Aldair Nascimento dos Santos, Vincent Candela.



