Gazetari i sportit, Edi Hajdini, parashikon përplasje më 2 mars, kur është planifikuar të mbahet edhe Asambleja e Përgjithshme për Zgjedhjet në FSHF.
Në emisionin “SportZone” në MCN TV, Hajdini deklaroi se në qeveri duan me çod kusht largimin e Dukës dhe nuk u intereson dënimi me përjashtim 10-vjeçar për Shqipërinë nga UEFA.
“Me vendimet e fundit, pres të ketë përplasje në Asamble. Do të jetë një situatë aspak e mirë. I kanë marrë parasysh të gjitha dhe nuk iu intereson dënimi me 10 vite përjashtim për Shqipërinë. Është një hipotezë e tillë, që UEFA jep dënim 10-vjeçar, por pas 5 vitesh do të ketë amnisti.
Unë kam parasysh atë pjesën e ‘ishullit të fundit’ dhe kjo dominon mbi gjithçka. Është ‘ishulli i fundit’ dhe duan ta marrin me çdo kusht. Palët nuk janë ulur dhe nuk kanë një marrëveshje deri në këtë moment. Uroj të mos ndodhë kështu, por shenjat nuk janë të mira për futbollin.
Do tentohet të zhvillohen zgjedhjet. Përmbarimi nëse shkon, do e bëjë me polici, prandaj thashë që do të ketë përplasje.”, u shpreh Hajdini.



