Në prag të sfidës që Teuta do të luajë ndaj irlandezëve të Shamrock Rovers, të enjten, para mediave ka folur ndihmës trajneri i durrsakëve, Bledar Hodo. Ky i fundit u shpreh se skuadra është në gjendje të mirë, teksa ka zbuluar se në qendër të mbrojtjes do të luajë Albano Aleksi, në mënyrë që në fushë të jetë një skuadër sa më ofensive.
“Mendoj që jemi në gjendje të mirë, si në anën psikologjike dhe atë fizike. Këtë periudhë kemi zhvilluar mjaftueshëm ndeshje për të qenë në formë optimale. Shpresoj që të bëjmë më të mirën. Aleksin do ta vendosim qendërmbrojtës në këtë ndeshje, sepse kërkojmë që skuadra të luajë më në ofensivë.
Ne do të tentojmë ta fitojmë ndeshjen, por duke pasur parasysh që të mos pësojmë gol. Kemi para pikat e forta të kundërshtarit, tani e njohim më mirë sepse e kemi prekur në fushë.”, u shpreh Hodo.



