
Sergio Ramos ka rezultuar një ndër lojtarët më të suksesshëm në historinë e Real Madridit në vitet e fundit, i cili më pas provoi një tjetër eksperiencë tek Paris St Germain dhe tek ekipi i zemrës Sevilla.
Prej kohësh andaluzi është lojtar i lirë por sigurisht ofertat nuk i kanë munguar, nga Major League Soccer dhe Arabia Saudite.
Megjithatë, nuk ka mbetur me kaq sepse në orët e fundit një tjetër ekip me shumë histori i ka trokitur në derë qendërmbrojtësit.
Flitet për Boca Juniorsin, një gjigand në Amerikën e Jugut. ‘’ Los Ceneizes ‘’, ashtu siç quhen ndryshe para pak kohësh befasuan me transferimin e Daniele de Rossit dhe më pas Edinson Cavanit, të cilët lanë gjurmë në të kaluarën në kontinentin e vjetër dhe me kombëtaret përkatëse.
38 vjeçari ka mbi supe një eksperiencë shumë të gjatë, sidomos me Real Madridin dhe Spanjën, fitues i trofeve të rëndësishëm, përfshirë Europianin, Botërorin, Champions Leaguen etj.
Kalimi i mundshëm në ‘’ La Bombonera ‘’ do të përbënte një sfidë sa të vështirë aq edhe emocionuese për ishi-n e Paris St Germain, i cili me siguri është në metrat e fundit të karrierës.
Duhet kujtuar se që prej largimit nga ‘’ Sanchez Pizjuan ‘’ Sergio Ramos është përgatitur për sfidat e rradhës, për të cilin merkatoja e janarit do të jetë deçizive.



