
Pas përfundimit të kampionatit, drejtuesit e klubeve të Superiores, po punojnë për lëvizjet që do të bëjnë në skuadrat e tyre.
Kështu ditën e sotme janë zyrtarizuar disa afrime dhe rinovime. Tirana ka prezantuar afrimin e qendërmbrojtësit Realf Zhivanaj. Ky i fundit vjen pas një sezoni shumë të mirë me Kastriotin, me të cilët spikati në Kategorinë Superiore. 23-vjeçari vishte bardheblu dhe ka firmosur me Tiranën për dy sezone.
Kukësi ka njoftuar afrimin e mesfushorit Kreshnik Bahtiri. 28-vjeçari ishte pjesë e Arbërisë në Superligën e Kosovës dhe tashmë do të vazhdojë karrierën në Kategorinë Superiore. Bahtiri ka firmosur me Kukësin kontratë 1 vjeçare me mundësi rinovimi edhe për një tjetër sezon.
Dinamo dhe Vllaznia gjithashtu kanë zyrtarizuar dy firma ditën e sotme. Kryeqytetasit kanë zgjatur bashkëpunimin me mesfushorin Kevi Berberi, i cili do të vazhdojë të jetë pjesë e dinamovitëve edhe për një tjetër sezon. Shkodranët nga ana tjetër kanë rinovuar kontratën me të riun Klejdi Paloka, i cili vjen nga akademia dhe tashmë ka firmosur me kuqeblutë kontratë 5-vjeçare.



