Mbrojtësi Frederik Veseli, mendon se Shqipëria është favorite për vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve. Duke folur para mediave, futbollisti kuqezi deklaroi se qëllimi është ngjitja në Ligën A, ku ndodhen edhe skuadrat më të fortë dhe për këtë arsye Shqipëria në Ligën B, do të kërkojë kreun.
Sipas Veselit, të gjithë lojtarët janë gati për të luajtur nga minuta e parë, apo edhe të aktivizohen nga stoli gjatë ndeshjes.
E kemi përgatitur ndeshjen mirë. E kemi nisur me stërvitje intensive që nga dita e parë dhe jemi përgatitur shumë në fushë. Synimi ynë është të bëjmë ndeshje të mira me Kombëtaren dhe të fitojmë.
Kemi mbrojtësa ekspertë dhe shumë të fortë. Secili nga ne luan në kampionate të nivelit maksimal, por kur vjen në Kombëtare është momenti që vlen dhe vendos trajneri kush luan. Jemi të gjithë të aftë që të luajmë që nga minuta e parë, ose nëse ka nevojë, të hyjmë në lojë kurdo.
Besoj se kemi bërë disa gabime kundër Islandës dhe Izraelit në ndeshjet e fundit kundër tyre dhe duhet t’i përdorim këto gabime për t’u përmirësuar dhe pse jo për t’i fituar këto ndeshje kundër tyre. Besoj se momentalisht jemi në nivelin e duhur, në grupin B dhe pse jo të synojmë të shkojmë në grupin A. Kemi bërë disa gjëra të mira me Kombëtaren këto vitet e fundit dhe besoj se një hap përpara do ishte gjëja më e bukur.
Për mendimin tim dhe të skuadrës jemi favoritë për vendin e parë. Por varet se çfarë mendojnë edhe skuadrat e tjera. Ne shpirtërisht mendojmë se kemi çdo mundësi të fitojmë dhe mund ta konfirmoj se kemi vullnetin jo 100, por 200% për të dhënë maksimumin dhe për të arritur vendin e parë për të kaluar në Ligën A ku kemi kundërshtarë shumë të fortë. Edhe si eksperiencë personale për çdo lojtar edhe si eksperiencë për grupin dhe për tifozët tanë që na shikojnë, pse jo të shohin ndeshje kundër skuadrave shumë të forta dhe me nivel shumë të lartë.



