
Milani luan një ndeshje shumë të rëndësishme ditën e nesërme, siç është ajo ndaj Interit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Me ndeshjen e parë të mbyllur në barazim pa gola, në sfidën e kthimit, kuqezinjtë do të kërkojnë me çdo kusht fitoren për të kapur finalen.
Në prag të kësaj sfide, para mediave ka folur trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, i cili u shpreh se skuadra e tij është e fokusuar.
Milani sipas tij, duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet në vijim, për të arritur objektivin që të gjithë kanë.
Të gjithë fokusohemi te loja e skuadrës. Sa më të bashkuar dhe sa më të gatshëm për të sakrifikuar, aq më mirë bëni. Dje kemi kaluar mirë, shfrytëzuam rastin që të ishim bashkë dhe kjo ndodh shpesh, por ajo që ka rëndësi është ndeshja e nesërme.
Calabria dhe Romagnoli do t’i shohim sot. Davide kishte disa probleme dje, por sot ai duhet të stërvitet. Alessio ende nuk është stërvitur me ekipin, por do ta shohim. Gabbia ka pasur vetëm një lodhje, pra është mirë. Çdo lojtar duhet të ndihet vendimtar. Duhet të luajmë duke menduar se çdo top që prekim mund të jetë vendimtar. Rebic është mirë dhe mund të jetë vendimtar.
Ne duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet nëse duam të luftojmë deri në fund. Unë shoh një ekip që është shumë i fokusuar dhe shumë i motivuar.
Ne e dimë shumë mirë se cila duhet të jetë rruga e kampionatit, pavarësisht nga ndeshja e nesërme. Nesër do të bëjmë më të mirën, por kampionati është një rrugë tjetër. Duhet të mendojmë se mund t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund.
Duhet të bëjmë më mirën për ta kaluar atë që bëmë vjet dhe të kalosh në finale të Kupës së Italisë do të thotë ta bësh këtë. Pastaj të kesh përballë Interin është një stimul më i madh. Ajo që ka rëndësi është që të tejkalojmë veten.
Thashethemet për shitjen e klubit? Nuk kemi folur për këtë, asgjë nuk na e heq përqendrimin për fundin e kampionatit. E tashmja e Milanit është shumë solide dhe e ardhmja mund të jetë edhe më e mirë.
Ndaj Interit do të jenë detajet që do të bëjnë diferencën. Duhet të luajmë me përqendrim të madh për të gjithë 90 minutat. Ne kemi cilësitë tona. Interi në fushë të hapur mund të jetë shumë i rrezikshëm, por më pas varet shumë nga mënyra se si ne e lexojmë lojën gjatë ndeshjes. I shoh lojtarët të përqendruar dhe të motivuar për të treguar punën e mirë që po bëjnë.



