
Me Arne Slot në stol ka filluar një tjetër etapë në historinë e Liverpoolit.
Traineri hollandez vijon i fokusuar maksimalisht tek merkatoja, me qëllimin e ripozicionimit të ‘’ The Redsave ‘’ aty ku e meritojnë duke filluar nga sezoni i ardhshëm.
Përgjegjësia natyrisht është shumë e madhe pasi flitet për një klub tejet të rëndësishëm, në Angli dhe Europë.
Puna ka filluar nga mbrojtja, repart i cili nuk ka bindur në të kaluarën dhe objektivi i rradhës i Arne Slot është Antonio Silva.
Mbrojtësi i Benfikës me vetëm 20 vite mbi supe ka treguar profesionalizëm dhe shumë përkushtim, i cili përfaqësoi Portugalinë në Botërorin e Katarit.
Janë bërë dy sezone tek ekipi i parë i ‘’ Shqiponjave ‘’, për të cilin Liverpooli do të ketë një sfidë të ashpër përpara pasi i duhet të përballet me Real Madridin.

Kur flitet për ‘’ Galaktikët ‘’, sigurisht arrihet në përfundimin se mbeten një kërcënim për çdo skuadër, historia e të cilëve ka si kryefjalë suksesin.
Nëse i referohemi ish ekipit të Jurgen Kloppit, largimi i Joel Matip dhe luhatjet e Ibrahima Konate detyrojnë ndërhyrjen e menjëhershme në merkato, për të shmangur ndonjë suprizë gjatë sezonit vijues.
Antonio Silva premton shumë për të ardhmen, për të cilin si Liverpooli ashtu edhe ‘’ Los Merengues ‘’ thuhet se do të bëjnë maksimumin për ta larguar nga ‘’ Estadio Da Luz ‘’.
Duhet theksuar gjithashtu se vlera e kartonit të lojtarit të kryeqytetasve i arrin 85 milionë eurot, një shifër e konsiderueshme por besohet se jo problematike për pretendentët.
Sezonin e dytë në rradhët e gjigandëve të Portugalisë Antonio Silva e përfundoi duke kontribuar me 2 gola në 36 sfida, i cili spikati për efikasitetin në prapavijë.



