
Uruguajani Darwin Nunez do të jetë një ndër protagonistët e merkatos verore , pasi me shumë meritë ka arritur të fitojë terren duke e zgjeruar interesin për të ardhmen .
Ylli i Benfikës konsiderohet një sulmues vdekjeprurës pasi avantazhohet nga aspekti fizik dhe natyrisht nuhatja për golin pa harruar gjatësinë e cila ia lehtëson në të shumtat e rasteve luftën në ajër.
Sipas gazetarit të famshëm Ekrem Onur , Atletico Madridi ka menduar të nisë ofensivën për 22 vjeçarin për të shtuar kualitetin në metrat e fundit , aty ku Cholo Simeone ka në dispozicion nxënës shembullorë si Angel Correa , Matheus Cunha, Antoine Griezmann apo Joao Felix.
Largimi i Luis Suarezit , me shumë gjasa drejt Major League Soccerit sigurisht ka impulsuar argjentinasin për ti kërkuar një zëvëndësues uruguajanit dhe talenti i luzitanëve ka arritur në një nivel impresionues falë sasisë së golave të cilët deri tani kanë arritur në 34 në 41 sfida të shoqëruara me 4 asiste , tek një ekip që ia ka lënë stafetën Portos në këtë sezon por konsiderohet shumë i suksesshëm në Portugali.
As Parisi dhe Manchester United nuk kanë hequr asnjëherë dorë nga Darwin Nunez duke na dhënë për të kuptuar se merkatoja do të jetë tejet intensive dhe e paparashikuar për ishi-n e Almerias.
E kaluara në Primera Division ka rezultuar një avantazh për Diego Simeonen për ta marrë këtë vendim sepse ofensiva e ‘’ Los Colchoneros ‘’ mund të ndryshojë tërësisht me prezencën e sulmuesit nga Artigas .
Në lidhje me pretendentët , në rastin konkret Manchester United , ky objektiv shikohet shumë i vështirë për arsye se ‘’ The Red Devilsat ‘’ nuk do të jenë pjesë e Champions Leagues në sezonin e ardhshëm , turne që konsiderohet një prioritet për Darwin Nunezin .
Nëse i referohemi kryeqytetasve , rendimenti i tyre në këto vite ka rezultuar në rritje të vazhdueshme sepse në sezonin e kaluar i rrëmbyen Barcelonës dhe Real Madridit La Ligan dhe shquhen si një rival që të surprizon kur nuk e pret dhe garanton në njëfarë mënyre suksesin në të ardhmen .



