Trajneri i futbollist Egrys Luga, në emisionin “Sport Zone”, në MCN TV, foli për derbin e kryeqytetit, ku tha se si Tirana ashtu edhe Partizani luajtën për të marrë 3 pikët. Më tej ai u shpreh se ekipet, më shumë kishin punuar për të prishur lojën e kundërshtarit, se sa të bënin lojën e tyre. Në lidhje me zërat që e lidhin trajnerin Ze Maria me stolin e Partizanit, Luga u shpreh se braziliani është njohës i mirë i Kategorisë së Parë, ku drejtoi Tiranën dhe jo i Superiores.
“Mendoj se skuadrat në derbi luajtën për fitore. Spektakli ishte në shkallët e stadiumit, jo në fushë. Tirana u shfaq më kërkuese dhe e gjeti golin me anë të penalltisë. Ekipet punuan për të prishur lojën e kundërshtarit, më shumë sesa të bënin lojën e tyre.
Shikoj një Tiranë që ka avantazhin psikologjik. Për Partizanin kemi shifrat kundër. Edhe këto acarimet që kemi dëgjuar së fundi te Partizani, vijnë për shkak të rezultateve. Duhet një riformatim tek të kuqtë.
Nuk mendoj se Ze Maria është një njohës i mirë i Superiores, por ëshhtë njohës i mirë i Kategorisë së Parë.”, u shpreh fillimisht Luga.
Më tej ai foli edhe për Dinamon, për të cilët tha se ndoshta drejtuesit gabuan që folën për titullin kampion, pasi kanë shtuar presionin te lojtarët dhe te trajneri.
“Dinamo ka bërë gabimin që është nxituar duke folur për titullin dhe kjo ka shtuar presionin te lojtarët dhe trajneri. Është një ekip që ka ardhur nga Kategoria e Parë dhe iu duhet kohë për t’u njohur me kampionatin e Superiores. Mund të kenë edhe objektiva të tjera, ne nuk jemi në brendësi të klubit, ndoshta është edhe një strategji i klubit të Dinamos.
Një skuadër që të dali kampion, duhet të ketë një grup të konsoliduar prej 3 vitesh. Duhet të ketë edhe një skuadër të mirë, me stolin e duhur, për zëvendësues. Kjo i mungon Dinamos dhe shumë ekipeve të tjera.”, përfundoi Ergys Luga.



