
Prej kohësh tek Liverpooli ka nisur planifikimi për merkaton e verës.
‘’ Të Kuqtë ‘’ kanë humbur ndjeshëm terren në lidhje me të shkuarën, pavarësisht se mbeten një ekip nga i cili duhet patur kujdes.
Periudha të tilla konsiderohen mëse normale në futboll dhe vlen për tu riktheksuar se rivaliteti ndërmjet ekipeve sa vjen edhe ashpërsohet në çdo kompeticion.
Traineri Arne Slot ka vënë në dijeni presidencën dhe kërkon medoemos Eduardo Camavingan në ‘’ Anfield Road ‘’.
Mesfushorit i përfundon kontrata me Real Madridin në 2029-tën por sidoqoftë drejtuesit janë të gatshëm të dëgjojnë oferta.
Numri një i stolit kërkon elementë cilësorë në këtë repart, të aftë në aspektin e organizimit të lojës dhe të fuqishëm fizikisht duke ditur se si luhet në futbollin anglez dhe më gjerë.
Ndërkohë presidenti Florentino Perez i ka vënë pikat mbi i dhe ka deklaruar se është i gatshëm të negociojë duke filluar nga 50 milionë euro, shifër e konsiderueshme kjo por jo problematike për kreun e Liverpoolit Tom Werner.
Ish kampionët e Champions Leagues janë tejet ambiciozë, të fuqishëm edhe në aspektin ekonomik, fakt i cili ia lehtëson tentativat drejtuesve gjatë merkatos së verës.
Ishi i Rennes prej katër sezonesh mban veshur bluzën e ‘’ Galaktikëve ‘’, për të cilin konsiderohet një privilegj duke ditur se përfaqëson një ndër më të suksesshmit në historinë e futbollit.



