Mesfushori i Moldavisë, Vadim Rata, foli për mediat, në prag të ndeshjes me Shqipërinë. Sipas tij, kuqezinjtë e Silvinjos, janë skuadra më e fortë e grupit dhe duhet të jenë të fokusuar.
Rata deklaroi se dëshiron që Moldavia të ketë një mbështetje të madhe të tifozëve, ashtu si Shqipëria.
Presim një mbështetje të madhe nga tifozeria nesër. Shqipëria na mundi në ndeshjen e parë falë tifozerisë së jashtëzakonshme, që e mbështeste fuqishëm.
Falë tyre ata fituan edhe me Poloninë e Çekinë, ndaj edhe ne duam një mbështetje të fortë në sfidën e nesërme.
Duam ta kemi në krah lojtarin e 12 dhe shpresojmë që edhe fusha të flasë në favorin tonë.
Ne e kemi parë në fushë që ata janë skuadra më e fortë e grupit dhe do të jetë ndeshje e vështirë.
Jemi para një momenti historik, por nuk duhet të mendojmë për objektivat dhe për shanset e kualifikimit, pasi presioni i tepërt nuk të lejon të japësh maksimumin në fushë.
Ne do të hyjmë në fushë të përqendruar dhe gati të fitojmë çdo dyluftim, me shpresën që do të marrim rezultatin që duam. Nuk dua të flas për shanse kualifikimi, apo kombinime rezultatesh.



