Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur para mediave, në prag të ndeshjes që skuadra e tij luan ditën e nesërme ndaj Dinamon. Në prag të derbit të kryeqytetit, Shehi vlerësoi maksimalisht kundërshtarin.
Ai tha se nesër mund ta nisë nga minuta e parë edhe De Dilva, i cili u afrua te bardheblutë në merkaton e janarit, ndërsa për ndeshjen me Vllazninë, Shehi theksoi se duhet lënë pas krahëve.
“Kemi përballë një kundërshtar me lojtarë cilësorë. Ata janë përforcuar, kanë cilësi dhe eksperiencë. Është një ndeshje që kërkon përqendrim maksimal. Dinamo është formuar për objektiva madhorë, është përforcuar me lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë, çka e bën skuadër më të fortë.
Ndaj Vllaznisë vinim pas pauzës dhe skuadra nuk vinte në formën më të mirë. Pas çdo ndeshje analizohen gjërat tekniko-taktike në fushë. Kjo ndeshje na vë përpara faktit se duhet të përforcohemi dhe ndryshojmë në fushë. Ndoshta na duhet të ndryshojmë modul.
Kemi besim se me De Silva, kemi bërë goditje të mirë në merkato. Do shohim nesër, federimi mbaroi dhe nesër mund të jetë nga minuta e parë.
Ndaj Vllaznisë nuk ishim vetvetja, nuk është se dështoi vetëm sulmi. Duhet të ndryshojmë diçka në manovër. Kemi bërë gabime që nuk duam t’i bëjmë në stërvitje dhe jo më në ndeshje. Situatat janë ato që të çojnë në ndeshje të mira.
Kampionati na rezervon përballje dhe rezultate të çuditshme. Është një kampionat ku mund të fitosh ndaj kujtdo dhe mund të lësh pikë me çdo ekip. Vllaznia është e kaluara.
Duam ta përmirësojmë performancën, por rezultatet nuk kanë qenë negative. Kemi marrë shtatë pikë në tre ndeshjet e fundit. Fitore me kampionët në fuqi dhe Partizanin, teksa morëm pikë me Vllazninë. Kemi kontingjentin e plotë dhe zgjedhjet janë më të përshtatshme për ne si staf”, u shpreh Shehi.



