
Rinovimi i kontratës me Luka Modric po i kushton shumë punë Real Madridit , drejtuesit e të cilit akoma nuk e kanë gjetur zgjidhjen për të blinduar qëndrimin e mesfushorit në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ .
Me një eksperiencë të madhe mbi supe , kroati e ka bërë të qartë se e shikon të ardhmen tek ‘’ Galaktikët ‘’ por mungesa e shtrëngimit të duarve ka krijuar një shpresë për Manchester United për ti hapur dyert e ‘’ Old Trafford ‘’.
Kontrata e ishi-t të Tottenham Hotspurit përfundon në 1 korrikun e 2022-shit dhe ‘’ Djajtë e Kuq ‘’ do të kenë një shans të artë për t’ia vënë ne dispozicion teknikut të përkohshëm Ralf Rangnick .
Nëse do ti japë lamtumirën kryeqytetasve, kjo histori do të konsiderohej si e ngjashme me atë të Sergio Ramos i cili pas më shumë se një dekade e ndërroi Real Madridin me Paris St Germain .
Ngërci i hasur nga palët në fjalë në lidhje me këtë marrëveshje është se 36 vjeçari nuk ka rënë dakord me formulën e ‘’ Los Blancos ‘’ të cilët pretendojnë rinovimin një vjeçar me të drejtë qëndrimi edhe për një tjetër në skuadrën e Carlo Ancelottit, fakt që Luka Modric nuk e ka pranuar sepse pretendon dy vite me opsionin e rinovimit për një tjetër sezon .
Këmbanat e alarmit tek madrilenët tashmë kanë rënë dhe anglezët janë duke fërkuar duart për ta rikthyer përsëri në Premier League fantazistin kroat , aty ku shkëlqeu me Tottenham Hotspurin , eksperiencë që i shërbeu si trampolinë për të firmosur me një ndër klubet më të suksesshëm të planetit .



