Igor Angelovski njoftoi pak ditë më parë largimin nga drejtimi i kombëtares së Maqedonisë së Veriut, pasi u eliminuan që në grupet e Europianit.
Pas suksesit historik me Maqedoninë, Angelovski vendosi të japë dorëheqjen, e cila u pranuar nga drejtuesit e Federatës. Këta të fundit nuk kanë humbur kohë, teksa kanë zgjedhur trajnerin e ri. Drejitmin e maqedonasve do e marrë, Blagoja Milevski. 50-vjeçari ka drejtuar të rinjtë e Maqedonisë, por nga 1 korriku, do të marrë drejtimin e kombëtares së parë.
Ka qenë vetë presidenti i Federatës, Muhamet Sejdini, i cili ka dhënë lajmin për këtë lëvizje.
“Vizioni për të ardhmen tonë të futbollit me Blagoja Milevski si trajner i kombëtares A është i qartë. Ai është njeriu që rigjeneroi rrjedhën e gjakut të futbollit maqedonas, krijoi një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh të cilët tashmë kanë luajtur në dy Kampionate Evropiane, atë me të rinjtë dhe atë me ekipin A dhe ne jemi të bindur se kjo rrugë duhet të vazhdojë”, tha Sejdini.



