
Edhe pse është konsoliduar në mesfushën e Barcelonës, eksperiencë e shoqëruar me më shumë se 200 sfida, për Frenkie de Jong e ardhmja në ‘’ Camp Nou ‘’ vijon të vihet në pikpyetje.
Problemet e vazhdueshme në aspektin ekonomik, i detyrojnë pothuasje në çdo merkato drejtuesit për t’ia hapur rrugën e largimit disa komponentëve dhe nëse i referohemi ishi-t të Ajax Amsterdamit, presidenti Joan Laporta është i gatshëm të dëgjojë oferta duke filluar nga 60 milionë euro e sipër, përfshirë bonuset.
27 vjeçari ka zhvilluar pesë sezone me ‘’ Blaugranët ‘’, kohë e mjaftueshme për të shpalosur potencialin, për të cilin disa klube të njohur në Europë kanë treguar interes.
Në të kaluarën Frenkie de Jong u transferua në Spanjë si një ndër futbollistët më premtues të dalë nga akademia e Ajax Amsterdamit dhe tashmë drejtuesit nga Katalunja janë në një situatë delikate, duke qenë se pavarësisht shitjes së tij, do të humbnin ndjeshëm në aspektin cilësor.
Priten zhvillime në ditët vijuese dhe koha në dispozicion si për Barcelonën dhe për ekipet në përgjithësi është e mjaftueshme.



