
Gazetari Sokol Bregu, thotë se në Kategorinë e Parë punohet keq. I ftuar në emisionin “SportZone” në MCN TV, Bregu deklaroi se trajnerët që drejtojnë në Kategorinë e Parë, nuk janë trajnuar jashtë dhe vijnë e vendosin e ardhmen e lojtarëve, duke thënë cilët bëjnë dhe cilët jo.
Bregu përmendi edhe rastin e Myrto Uzunit, për të cilin tha se në fillimet e tij nuk e donte asnjë ekip në Shqipëri, ndërsa tani e kërkon një nga klubet më të mëdha europiane, siç është Sevilla.
Gjithë kohën, jo vetëm trajnerët në Shqipëri, po ka shumë profesionistë, që nxitohen në veprimet e tyre. Shqiptarët nga vetë natyra e nxitojnë fjalën e tyre. Trajnerët në Kategorinë e Parë, nuk kanë asnjë trajnim europian. E presin këtë nga Federata. Duhet të trajnohen në Europë dhe të vijnë më pas të kërkojnë ekipe në Shqipëri. Janë disa trajnerë që mendojnë se duke parë në TV, mund të bëhen trajnerë të mirë.
Në Kategorinë e Parë punohet keq me ekipet. Kam parë që një trajner thotë se ky lojtar nuk bëhet. Në botë kanë drejtuar edhe trajnerët më të mirë. Vjen një trajner, që nuk ka qenë kurrë në një trajnim jashtë dhe tregon kush bën dhe kush jo. Këtyre dua t’iu tregoj rastin e Uzunit, ku nuk e morën fare në fillim, as te Tomori. Shkoi në Greqi, pastaj Apolonia dhe me radhë deri te Granada, ndërsa tani e kërkon Sevilla. Askush nuk mund të përcaktojë fatin dhe teknikalitetin e një personi. Këta janë me dy vite trajnim dhe përcaktojnë kush bën dhe kush jo. Krizat më të mëdha të njeriut, janë kur humbet ëndrrën. Futbolli është ëndrra e të gjithë fëmijëve në Shqipëri, sepse rriten me futbollin. Shqipëria nuk ka asgjë tjetër përveç futbollit.
Kjo reflektohet tek të gjitha skuadrat që nuk kanë një president. Nëse e shikon Kategorinë e Parë, është e gjitha 4-4-2. Nuk kam parë një trajner që të ndryshojë formacionin gjatë ndeshjes, kjo tregon se janë të paaftë.



