Vllaznia do të përballet me Dinamon ditën e nesërme, në një ndeshje ku shkodranët do të kërkojnë vetëm fitoren. Duke folur para mediave në prag të kësaj ndeshje, trajneri i Vllaznisë Thomas Brdaric, tha se nuk duhet ta mendojnë ndeshje të lehtë, për shkak të momentit të keq që po kalon kundërshtari. Ai tha se për Dinamon duhet vlerësim maksimal, pasi lojtarët e bluve mund të hapin probleme nga momenti në moment.
“Nesër do të jetë një ndeshje e veçantë sepse të gjithë e shikojnë që Dinamo nuk është në një formë të mirë. Për mua, nuk ka rëndësi sesi është gjendja e tyre momentale pasi e di se çfarë janë në gjendje të bëjnë me cilësitë që kanë. Duhet të jemi të gatshëm që të bëjmë paraqitjen tonë më të mirë ndaj tyre për të fituar.
Ishte kohë e mirë sepse në të kaluarën nuk kemi pasur kushtet më të mira për të punuar. Është më e rehatshme për të punuar në diell dhe sot jemi stërvitur në stadiumin tonë. Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe jemi gati nesër.
Dinamo është një skuadër që ka lojtarë specialist dhe me shumë eksperiencë. Fakti që ata nuk e kanë gjetur veten e tyre më të mirë pas shumë muajsh është një avantazh për ne, por ngelet ajo që thashë që ne nuk duhet të frikësohemi fare dhe duhet t’i shkaktojmë humbjen e radhës.
Do të kërkojmë të ngushtojmë diferencën me ekipet që kemi përpara. Tirana ka një ndeshje të vështirë me Teutë, kurse Kukësi ka një ndeshje të vështirë ndaj Partizanit në Shkodër. Ne duhet të jemi të përqendruar për të marrë maksimumin për të marrë 3 pikët e më pas të shikojmë rezultatet e skuadrave të tjera. Do të jetë ndeshje e mirë e do të bëjmë maksimumin tonë. Ndeshjet e fundit kanë qenë të vështira pasi kemi qenë me një lojtar më pak, por tani kemi rikarikuar bateritë dhe do të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë pasi kampionati është i hapur.
Duhet të kuptojmë edhe sesi funksionon futbolli pasi siç e përmenda më parë, dy ndeshjet e kaluara i kemi luajtur me një lojtar më pak dhe është e vështirë ta mbash gjithmonë ritmin e lartë. Do mundohemi të mbajmë intensitetin e lartë që të shënojnë sa më shumë gola dhe të kënaqim tifozët.
6 pikë në dy ndeshjet e fundit? Po do të ishte një dhuratë shumë e bukur dhe ne do të punojmë shumë për këtë”, u shpreh Brdaric.



