Gazetari i sportit, Edi Hajdini, ka komentuar rezultatet e arritura ditën e sotme në Kupën e Shqipërisë. Në emisionin "SportZone” në MCN TV, Hajdini e konsideroi si hap fals barazimin e Kastriotit ndaj Flamurtarit, ndërsa për Skënderbeun tha se favorin ndaj Bylisit e ka sepse luan ndeshjen e kthimit në shtëpi.
Në lidhje me ndeshjen derbi mes Dinamos dhe Tiranës, ai tha se blutë e Bledi Shkëmbit janë më të përkushtuar, sepse mund të shkojnë në Europë në fund.
“Barazimin mes Kastriotit dhe Flamurtarin, e shikoj si një hap fals të krutanëve.
Nga informacioni që më ka ardhur, në fund të ndeshjes mes Bylisit dhe Skënderbeut ka pasur disa probleme. Bylisi me këtë barazim ka treguar se është me meritë në krye të renditjes në Kategorinë e Parë. Avantazhi i Skënderbeut është se ndeshjen e kthimit e luan në shtëpi. Ky është vetëm goli i dytë që Bylisi pëson këtë sezon. Ishte gol me penallti, i cili krijoi kontestime të mëdha.
Në të shtata ndeshjet që u luajtën, të gjithë lojtarët që zbritën në fushë, që nuk kanë pasur shumë minuta në kampionat deri tani, dhanë maksimumin.
Nëse ka një ndeshje që e meriton fjalën “klasike” është kjo mes Dinamos dhe Tiranës. Janë dy skuadrat me më shumë trofe në Shqipëri. Të gjithë ndeshjet mes tyre kanë dhuruar spektakël dhe gola. I vetmi minus te Dinamo, është numri i ulët i mbështetësve. Shehi dhe Shkëmbi janë dy trajnerë të rinj, por me ambicie të mëdha. Dinamo duket se ka diçka që i mungon.
Në Kupë më duket sikur Dinamo e ka më seriozisht, për të kapur Europën. Tirana është në rrugën e mbarë në kampionat dhe do të kërkojnë titullin. Është një ndeshje ku trajnerët nuk do të japin më të mirën, duke ditur edhe ndeshjen tjetër në fundjavë. Sofranac është një mungesë e rëndësishme për blutë.
Te Tirana lojtarët e stolit i japin më shumë garanci trajnerit Shehi. Kjo ndeshje nuk vulos fatin e kualifikimit, pasi pas 2 javës do jetë edhe ndeshja e radhës.”, u shpreh Hajdini.



