
Problemet e papritura të Atleticos në mbrojtje e kanë shtuar përpjekjen e drejtuesve për ti dhënë fund gjatë merkatos .
Rotacionet e Diego Simeones nuk i japin shumë garanci për të realizuar objektivat e sezonit dhe po analizohen disa alternativa për prapavijën . Drejtori sportiv Andrea Berta ka filluar përveshjen e mëngëve në lidhje me këtë çështje e cila konsiderohet kyçe për ‘’ Los Colchoneros ‘’.
Alessio Romagnoli , Paulo Diaz i River Plate apo Matthias Ginter janë preferencat e argjentinasit , njëri prej të cilëve mund të udhëtojë drejt ‘’ Wanda Metropolitanos ‘’ me parametër zero pa harruar as Diego Carlos apo Kalidou Koulibaly të Napolit.
‘’ El Cholo ‘’ synon patjetër që të vijojë rrugën e suksesit të arritur në sezonin e kaluar me fitimin e Primera Division , pse jo edhe tentimit të Champions Leagues , trofe që i ka shpëtuar nga duart në të kaluarën .
Duke e njohur mentalitetin e 51 vjeçarit parashikohet se gjithçka për të sapo ka filluar sepse kërkon të përmirësohet çdo ditë edhe në detajin më të vogël , fakt që e ka bërë të arrijë këtu ku është sot dhe të konsiderohet me meritë një ndër trainerët më të mirë në botë .



