
Ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, në emisionin “Skaner” në MCN TV, komentoi dy ndeshjet e fituara të Shqipërisë, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Lala deklaroi se lojtarët duhet të jenë me këmbë në tokë dhe të luajnë në grup, jo të tregojnë egoizëm, siç kanë bërë në disa raste në dy ndeshjet e fundit. Sipas tij, Shqipëria ka më shumë potencial, nga çfarë ka treguar deri tani. "Jemi shumë herët për të folur për kualifikim në Europian. Kemi edhe pesë ndeshje të tjera. Polonia gaboi. Ishte edhe ky një fat për ne. Ndeshjet e ardhshme janë deçizive. Mendoj se trajneri për këto tre ndeshje ka bërë shumë mirë. Skuadra ka më shumë potencial. Mendoj se me rikthimin e të dëmtuarve, skuadra do të përforcohet më shumë. Skuadra nuk është ende në nivelin më të mirë të mundshëm. Me Moldavinë bëmë më mirë se Ishujt Faroe. Te Moldavia më bëri përshtypje, se një lojtar apo tjetër, e mbajnë topin më shumë sesa duhet. Duhet t’i marrim maksimumin mundësive. Janë marrë dy fitore të rëndësishme, por të jemi me këmbë në tokë. Është ende ekip i ri. Trajneri është i ri, shumë i fokusuar. Mori guximin të lërë Asllanin në stol dhe në ndeshjen tjetër ia shpërbleu. Janë çuna të rinj, të rrinë me këmbë në tokë, sepse kanë më shumë potencial. Të luajnë bashkë dhe të pasojnë më shumë njëri-tjetrit, jo të gjuajnë portën. Kam parë lojtarët që para porte nuk pasojnë. Kanë treguar egoizëm. Nuk dua të shikoj vetëm gjërat negative. Të shikojmë edhe gjërat pozitive, që fituam dy ndeshje, por të jemi me këmbë në tokë.", deklaroi Altin Lala.



