
Pas Endrick Felipes , në kohët e fundit drejtuesit e Real Madridit kanë trokitur përsëri në derën e Palmeiras, skuadër në të cilën po impresionon një tjetër talent. Flitet për Estevao Willian, lojtar i cili nga specialistët krahasohet me Lionel Messin. Me vetëm 16 vite mbi supe sulmuesi ka treguar se e meriton kalimin në kontinentin e vjetër dhe në lidhje me transferimin e tij në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’, madrilenët synojnë të finalizojnë sa më shpejt këtë akord për të evituar ndonjë pakënaqësi gjatë merkatos së ardhshme. Duhet theksuar se një ndër objektivat madhorë të ‘’ Los Merengues ‘’ prej kohësh është shtimi i cilësisë në aspektin e talentëve , ashtu siç e kanë bërë edhe në të kaluarën me Vinicius, Rodrygo, Reinier apo Militao, shumë të rëndësishëm për gjigandët e Spanjës dhe jo vetëm. Parashikohet se kjo tendencë do të vijojë në rritje në vazhdimësi për arsye se Brazili shquhet për prodhimin e talentëve, fakt që është dëshmuar tashmë në sportin më të ndjekur në botë.



