
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ka folur para mediave, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë ndaj Egnatias.
Duke vlerësuar kundërshtarin, për të cilët tha se kanë lojtarë cilësorë, Shehi zbuloi edhe mungesën e vetme për sfidën e nesërme.
Përveç dëmtimit të Abazajt, pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme. Çdo ndeshje e analizojmë dhe marrim të mirat dhe të këqijat. Ajo ndaj Kukësit ka pasur më shumë të mira se të këqija. Do të përqendrohemi te elementët që nuk ishin të duhurit.
Në kampionat të gjatë ka ditë të mira dhe të këqija. Mendoj se duhet të kemi ekuilibër dhe të peshojmë ose analizojmë gjërat në mënyrën e profesionalizmit se në futboll ndodh gjithçka. Ne kishim ndeshje Kupe ku futëm lojtarë të marrim minuta, nesër do të jetë një histori ndryshe.
Egnatia ka skuadër cilësore, me elementë cilësorë, është investuar me lojtarë cilësorë. Merkato duhet të jetë për të përforcuar dhe ata kanë bërë shumë mirë se kanë afruar lojtarë cilësorë, kanë marrë edhe futbollistë të kombëtares dhe kanë ambicie të mëdha.
Tirana ka qenë një nga skuadrat që ka ndryshuar shumë në merkato dhe për këtë, Shehi tha se është klubi që i merr vendimet.
Sigurisht që në këtë merkato që ne kaluam, me tranzicionin në gusht, tani kemi përsëri një tranzicion tjetër se u larguan shumë lojtarë. Nuk e di sa do të ndikojë, do të bëjmë maksimumin për të qenë kompetitiv. Në disa situata do të kenë luhatje kaq të mëdha, por klubi i peshon dhe merr vendimet duket qenë të ndërgjegjshëm që duhet të arrihen objektivat. Në futboll kur hyn çështja financiare dhe menaxhimi i situatave, atëherë hyrje-daljet ekonomike dhe sportive i vlerëson dhe i vendos klubi. Mua dhe stafit më mbetet të bëjmë më të mirën tonë që edhe tranzicioni në këto muaj të mos ndjehet shumë se nuk është pak që të ketë dy periudha kështu.



