
Problemet e shumta të Juventusit gjatë kohëve të fundit kanë obliguar drejtuesit e saj për t'u përfshirë fuqishëm në merkaton e verës. Ashtu siç dihet botërisht për afrimin e elementëve cilësorë duhet të aplikohen shitjet e duhura për të balancuar çështjen ekonomike. Obsesioni për t'u rikthyer në kohët e arta si në Serinë A, ashtu edhe në Europë, ka bërë që drejtuesit e "Zonjës së Vjetër" të përveshin seriozisht mëngët dhe kanë deklaruar çmimin e Aaron Ramsey-t.
Sipas prestigjozes italiane "La Gazzeta Dello Sport", uellsiani nuk ka mundur t'i bëjë detyrat ashtu siç duhet për llogari të kampionëve në fuqi të Serisë A të cilët janë gati ta largojnë nga "Allianz Stadium" për shifrën e 20 milionë eurove.
Megjithatë, eksperienca e këtyre viteve i krijon shpresën për t'u përfshirë në një ekip me emër gjatë sezonit vijues dhe pistat e deritanishme flasin për një rikthim në Premier League.
Nëse kthehemi në retrospektivë duhet theksuar se për 30-vjeçarin Anglia mund të konsiderohet si shtëpia e dytë . Paraqitjet pozitive me Arsenalin vazhdojnë t’ia mbajnë derën hapur mesfushorit nga Cardiffi, i cili tashmë është me një këmbë larg Juventusit.
Në këtë stad të karrierës mund të reflektohet me shumë bindje se eksperienca e akumuluar nga Aaron Ramsey do të jetë çelësi i të ardhmes që me shumë gjasa do të jetë në kampionatin anglez. 23 ndeshjet e zhvilluara të shoqëruara me dy finalizime duke marrë parasysh gjithmonë rendimentin e vakët për llogari të kampionëve në fuqi të Scudettos e kanë çuar nxënësin e Andrea Pirlos në këtë pikë që e largon çdo ditë e më shumë nga Juventusi.



