10-vjeçari shqiptar Rohan Yzeiraj, është një vogëlush i talentuar i cili po njeh sukses në sportin automobilizmit.
Pas një sezoni të suksesshëm në kampionatin italian të kartingut, “Rotax Max Italia”, ku u rendit në vendin e gjashtë mes 21 pjesëmarrësve, është përzgjedhur nga një legjendë e Formulës 1, Kimi Raikonen, për të qenë pjesë e “Driver School Academy”.
Rohani do të jetë pjesë akademisë së ish-kampionit të botës në Formula 1, me ekipin e Ferrarit.
10-vjeçari stërvitet prej më se tre vitesh për të qenë pjesë e garave karting, një kategori e automobilizmit nga e cila kanë dalë edhe kampionët e mëdhenj të Formulës 1.
“Këto gara janë shumë të bukura për mua, pasi kanë një shpejtësi që më jep adrenalinën dhe më pëlqejnë shumë. Në gokarting duhet të jesh fit dhe të trajnohesh gjithmonë, sidomos qafën dhe duart që të mos të lodhen dhe koka të mos lëvizë majtas-djathtas që të mos dëmtohesh”, rrëfen Roan Yzeiraj, teksa flet për emocionet e garave karting.



