
Sergio Ramos i ka dhënë lamtumirën Real Madrid ditën e sotme. Në konferencën e përgatitur për këtë largim, mbrojtësi spanjoll është prekur, teksa gjatë kohës kur po fliste për ndarjen nga skuadra madrilene, e kishte të pamundur t’i mbante lotët.
I prekur, 35-vjeçari dha edhe një premtim, duke thënë se një ditë do të rikthehet sërish te Reali. “Erdhi koha për t’u përshëndetur, unë mendoj se është një nga ndarjet më të vështira të jetës sime, erdhi koha t’i them lamtumirë Real Madrid. Erdha këtu me babanë që më kishte marrë përdore. Është e pamundur të mos emocionohesh, por do të më pëlqente të ndaheshim në stadiumin tonë, në ‘Santiago Bernabeu’. Isha djalë i ri kur erdha këtu, ndërsa tani jam burri i një familje me katër fëmijë.
Po mbyllet një fazë e mrekullueshme, një periudhë unike e jetës time, ndërsa tani hapet një kapitulli ri i së ardhmes, në të cilën dua vërtet të tregoj nivelin tim më të mirë edhe për shumë vite të tjera. Uroj t’i shtoj një tjetër titull rekordit tim.
Faleminderit shumë të gjithëve, faleminderit Real Madrid, kjo më shumë se sa një lamtumirë është një mirupafshim, pasi një ditë do të rikthehem sërish këtu”, u shpreh Ramos mes emocionesh dhe i përlotur.



