Shqipëria merr fitoren e parë në basketboll në kualifikueset e Botërorit 2023.
Djemtë e trajnerit Afrim Bilali fituan 71-64 ndaj Qipros në një ndeshje të mbushur me emocione. Kuqezinjtë e nisën jo mirë ndeshjen duke qenë në disavantazh në dy periodat e para.
Por në fund, saktësia e Moore bëri që Shqipëria të marrë një fitore të vuajtur, që e mban në lojë për kualifikim.
Pas humbjes në ndeshjen e kaluar me Portugalinë, Shqipëria tashmë synon vendin e dytë në grup dhe që ta realizojë këtë duhet të mposhtë skuadrën e fortë bjelloruse, me të cilën do të ndeshet në muajin nëntor.
Ndeshja u zhvillua në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, në prani të një numri të konsiderueshëm spektatorësh.



