Tirana ka marrë një fitore shumë të rëndësishme ditën e sotme, teksa ka mposhtur 2-1 Teutën, në ndeshjen e zhvilluar në “Air Albania”.
Pas 45 minutave të para, bardheblutë kryesonin 1-0, falë një supergoli të shënuar nga Enuur Totre në minutën e 28-të.
Kryeqytetasit u shfaqën më kërkues në pjesën e parë, teksa përveç golit kishin edhe disa raste të tjera shënimi.
Rasti më i diskutueshëm u regjistrua në fundin e pjesës së parë, kur gjyqtari Laver Alla akordon penallti, pas një ndërhyrje të Ivanovic ndaj Seferit. Megjithatë ishte përsëri arbitri, i cili pas 5 minutash konsultim me VAR në fund vendos ta anulojë penalltinë, duke krijuar polemika të shumta.
Pjesa e dytë nisi me Teutën në sulm, që kërkonte të gjente golin e barazimit dhe mundësinë e kishin në minutën e 52, kur Gorgiev i vetëm me portierin, gjuan jashtë me kokë. Në minutën e 68-të, ishte Seferi, i cili pas një kundërsulmi, e ndali topin në rrjetë.
Durrsakët rihapën sfidën në minutën e 84, duke shënuar me Ildi Grudën, por vetëm kaq, pasi nuk arritën të bënin dot më shumë.
Kështu Tirana vazhdon në vendin e parë me 30 pikë, ndërsa Teuta mban vendin e 6-të me 18 pikë.



