
Kjo javë do të jetë intensive për katër skuadrat e Superiores, që do të luajnë në eliminatoret e Kupave të Europës, Teutën, Partizanin, Vllazninë dhe Laçin.
Teuta kampione, sfidon në raundin e parë eliminator të Champions League moldavët e Sheriff Tiraspol. Sfida e parë do të zhvillohet në “Niko Dovana” më 7 korrik dhe klubi durrsak ditën e sotme ka dalë me një njoftim për tifozët, në lidhje me biletat. Me anë të një postimi, Teuta njofton se në tribunën A dhe B çmimi për tifozët do të jenë 500 lekë të reja ndërsa në tribunën C ose siç njihet ndryshe tribuna ballore çmimi është 300 lekë të reja.
“Ndeshja Teuta-Sheriff Tiraspol, e vlefshme për turin e parë të Champions League, që do të zhvillohet të mërkurën në orën 19:00 në “Niko Dovana” do të luhet me 30% të kapacitetit të stadiumit. Tifozët duhet të respektojnë masat anti COVID-19 dhe distancën sociale brenda dhe jashtë stadiumit. KF Teuta fton tifozët të pajisen me biletë për ndeshjen ndaj Sheriff Tiraspol. Biletat do të dalin në shitje nga e marta pranë biletarisë së stadiumit “Niko Dovana”. Çmimi i biletave do të jetë 500 lekë për tribunat A-B dhe 300 lekë për tribunën C (pjesa ballore). UEFA njofton se lejimi i pranisë së publikut deri në 30% të kapacitetit të stadiumit duhet të jetë sipas rregullave anti-covid.”, njofton klubi i Teutës.
Ndërkohë të njëjtën gjë ka bërë edhe Partizani, që luan në raundin e parë kualifikues në Conference League, përballë Sfintul George. Klubi i kuq njofton se për ndeshjen në “Elbasan Arena” e cila do të zhvillohet më 8 korrik, bileta në tribunën qendrore kushton 1000 lekë të reja, ndërsa në tribunën përballë 300 lekë të reja.
“Ju njoftojmë se për këtë takim çmimet e biletave në Tribunat respektive të stadiumit “Elbasan Arena” do te jenë:
Biletat në Tribunat Qëndrore A1, A3, A4 dhe B1, B2, B2, B3, B4, B5 do të kushtojnë 1 000 Lek (të reja)
Biletat në Tribunat përballë C3, D, E, F, G1, do të kushtojnë 300 Lek (të reja)
Biletat do të mund ti siguroni duke filluar nga dita e Martë e në vazhdim ora 10:00 deri 20:00 pranë pikës së shitjes, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Gjithashtu nga dita e mërkurë Biletat mund ti gjeni nga ora 10:00 deri 20:00 edhe pranë pikes së shitjes në stadiumin “Elbasan Arena” në Ebasan.
Në këtë takim prezenca e publikut do të lejohet vetëm 30% e kapacitetit të stadiumit. Sipas protokolleve të UEFA-s tifozët duhet të respektojnë masat anti COVID-19:
Tifozët nuk duhet të hyjnë në stadium të organizuar dhe të respektojnë dictancën sociale brenda dhe jashtë ambienteve të stadiumit. Tifozët duhet të respektojnë distancën sociale që në hyrje të stadiumit duke mbajtur masken, si dhe të bëjnë dizinfektimin e duarve. Gjatë qëndrimit në tribuna tifozët duhet të përdorin ulëset sipas numrit të biletës që disponojnë.”, bën me dije klubi i Partizanit.



