
Ish-lojtari i të rinjve të Milanit, Seid Visin tronditi ditën e djeshme botën dhe jo vetëm, teksa u gjend i pajetë nga policia.
Sipas raportimeve nga Italia, ish-lojtari u vetëvra, duke i dhënë fund jetës në moshën 20-vjeçare. Shkaqet janë zbuluar së fundmi nga një letër që Visin i ka dërguar disa miqësve të tij. Në letrën e zbuluar nga “Il Corriera della Sera”, duket se ish-lojtari nga Etiopia, i ka dhënë fund jetës për shkak të racizmit ndaj tij.
“Kudo që shkoj, kudo që jam, ndjej peshën e shikimeve skeptike, të njëanshme, të neveritshme dhe të frikshme të njerëzve. Unë nuk jam emigrant, jam adoptuar kur isha fëmijë dhe mbaj mend që të gjithë më donin. Kudo që shkoja më flisnin me gëzim, respekt dhe kuriozitet. Tani më duket se gjithçka është kthyer përmbys.
Kam qenë në gjendje të gjej punë dhe më pas ta lë, pasi shumë njerëz, veçanërisht të moshuarit, refuzonin t’ju shërbeja unë. Nuk ndihesha i qetë, ata më akuzonin mua si përgjegjës që shumë të rinj italian nuk ishin në gjendje të gjenin punë.
Diçka ndryshoi brenda meje. Ishte sikur të kisha turp që jam një djalë i zi dhe kisha frikë nga fakti që konsiderohesha si emigrant. Ishte sikur unë duhet t’u provoja njerëzve që nuk më njihnin se isha njëlloj si ata. Italian dhe i bardhë. Bëja shaka të këqija për njerëzit e zinj për të treguar se isha si ata, por ishte shumë frikë.
Frikë për urrejtjen që pashë brenda syve të njerëzve kur shihnin emigrantët. Nuk doja që njerëzve t’u vinte keq për mua, thjesht dua t’i kujtoj vetes se vështirësitë dhe vuajtjet që po përjetoj janë një pikë uji në krahasim me oqeanin e vuajtjeve të përjetuara nga ata që preferojnë të vdesin para se sa të dalin nga ferri dhe mjerimi.
Ata njerëz rrezikojnë jetët e tyre, disa prej tyre madje e kanë humbur, vetëm për të shijuar atë që ne e quajmë thjesht jetë”, shkruante Visin në letrën që i kishte dërguar miqve të tij, e cila i ka tronditur të gjithë.



