
E kaluara e mrekullueshme në Calcio akoma vijon të kujtohet nga sulmuesi Paulo Dybala i cili nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me Juventusin, ekip që do të humbasë shumë me largimin e argjentinasit.
Ishi i Palermos është i gatshëm të qëndrojë në Itali , kampionat që i ka dhënë shumë gjatë periudhës me ‘’ Zonjën e Vjetër ‘’ të cilën ka vendosur ta braktisë për t’iu bashkuar Interit .
Historia me zikaltërit i ka fillesat që në kohën kur aktivizohej tek Palermo dhe asokohe kampionët në fuqi të Scudettos e anashkaluan si opsion për vetëm 35 milionë euro duke favorizuar bardhezinjtë dhe ky fakt mbetet një ndër pendesat më të mëdha të ekipit nga Milano.
Megjithatë, gjatë merkatos verore mund ta rikuperojnë këtë gabim sepse sipas ‘ La Gazzetta dello Sport ‘ golashënuesi nga Kordoba preferon të vijojë suksesin në Itali dhe një transferim në ‘’ Giusseppe Meazza ‘’ do të gjeneronte një lloj situate të sikletshme për shkak të së kaluarës tek një rival direkt.
Duket se kjo rrugë po merr pak e nga pak zgjidhje sepse Paulo Dybala ka preferuar një ulje rroge vetëm për të përfaqësuar këtë ekip i cili do të mbahet mend gjatë në historinë e Serisë A sepse ishte i vetmi që i uli nga froni torinezët pas 9 viteve suksesi, me Antonio Conten në stol .
Për transferimin e ishi-t të Institutos , drejtuesit e Interit duhet ti japin dritën jeshile largimit të Alexis Sanchez apo Arturo Vidal për të përballuar Paulo Dybalan që do të shëndërrohej një ndër më të paguarit duke iu bashkangjitur Marcelo Brozovicit dhe Lautaro Martinezit.
Ky sezon në përgjithësi ka rezultuar me shumë ulje-ngritje për juventinët dhe një ndër episodet që do të mbahet mend ishte eleminimi nga Villareali që i dha për të kuptuar të besuarve të Massimiliano Allegrit se duhet të përgatiten akoma më shumë për të arritur majat .
14 gola dhe 6 asiste në 36 sfida nuk e kanë ndihmuar aspak ‘’ La Joyan ‘’ për të qëndruar edhe më gjatë në ‘’ Allianz Stadium ‘’ dhe Interi ka menduar ta ndihmojë për të rikuperuar versionin e mëparshëm i cili e klasifikoi si një ndër më të rrezikshmit në Itali dhe jo vetëm .



