Specialisti i futbollit, Sulejman Starova, u shpreh se priste që të kishte më shumë tifozë në ndeshjen mes Partizanit dhe Vllaznisë në “Elbasan Arena”. Në emisionin “Skaner” në MCN TV, ai u shpreh se asnjë nga skuadrat nuk meritonte më shumë se 1 pikë në sfidën e ditës së sotme.
“Pse nuk kishte tifozë në ndeshjet e kësaj jave?! Çfarë kishte në kohën e dikurshme, kur tifozët vinin me biçikleta. Nuk isha i kënaqur me numrin e tifozëve që pashë në Partizani-Vllaznia. Çfarë i pengoi të shkonin në stadium?! Ishin përballë dy ekipe pretendente. Nuk po bëj njeri fajtor, doja dhe prisja të shikoja më shumë tifozë në stadium. Për tifozin e diela është ditë ndeshjeje.
Të dyja skuadrat morën atë që merituan. Vllaznia ishte më afër fitores. Shkodranët zhgënjyen në pjesën e dytë, në të gjitha drejtimet. Edhe mund ta humbiste ndeshjen. Partizani nuk meritonte më shumë se kaq. Pashë një Partizan me grintë se ndeshjet e kaluara. Të kuqtë janë dobët në fazën ofensive. Të dyja skuadrat meritonin nga një pikë, jo më shumë. Ishte një rrëmujë totale. Se kush e pëlqeu këtë ndeshje?! Goli i Partizanit mu duk si pozicion jashtë loje. Cardoso duhet të ngorhë stolin. Me ato lojtarë që Partizani zbriti në fushë sot, nuk del kurrë kampion.”, u shpreh Starova.



