
Shqipëria U-17 luajti ndeshjet e fundit për eliminatoret e Europianit, ndaj Irlandës së Veriut. Sfida ishte me të vërtetë spektakolare, teksa u mbyll në barazim 2-2, ku kuqezinjtë ishin dominues gjatë gjithë takimit.
Fraksioni i parë i lojës pa skuadrën tonë superiore ndaj kundërshtarëve, superioritet që u konkretizua me golin e Orsi Agejas në minutën e 34-të. Djemtë vazhduan lojën sulmuese, krijuan dhe dy mundësi të tjera shënimi por që nuk u konkretizuan. Në minutën e 52-të, Irlanda e Veriut shfrytëzon në mënyrën më të mirë një rrëmujë në zonë, me topin që goditet nga Boyd dhe përfundon pas krahëve të Totoshit.
Klevis Haxhari në minutën e 66-të godet me të majtën brenda zone duke shënuar një gol shumë të bukur. Kur ndeshja dukej se do të përfundonte në favor të kuqezinjve tanë, në minutën e 85-të irlandezo-veriorët barazojnë me Kellyman që shfrytëzon një neglizhencë në mbrojtjen tonë. Pavarësisht insistimit dhe hedhjes totale në sulm, gjithçka mbyllet në barazim 2-2 në këtë rrugëtim eliminator në Irlandën e Veriut.



