Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja ka dalë në konferencë për shtyp, në prag të sfidës së nesërme ndaj Hungarisë, në “Elbasan Arena”, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit Katar 2022. Reja u shpreh se Shqipëria duhet të luajë edhe ndaj Hungarisë ashtu si me Poloninë, duke thënë se në ndeshjen e fundit pavarësisht se u mposhtëm me shifrat e thella, loja ishte shumë e mirë. Ai foli gjithashtu edhe për kundërshtarin dhe sulmuesin Armando Broja, duke thënë se ky i fundit nuk ka treguar atë që trajneri pret prej tij.
"Kemi një ndeshje për të rikuperuar ndaj Hungarisë pas atij rezultati të padrejtë që patëm në Poloni. Pres një ndeshje të mirë nga skuadra, duhet të bëjmë paraqitje siç bëmë në Poloni, sepse nëse shohim rezultatin mendojnë se na kanë masakruar por nuk është ashtu, në vija të përgjithshme skuadra bëri paraqitje të mirë.
Shpresojmë të gjejmë frymën e ekipit. Sa i përket Polonisë pas golit të tretë gjërat u komplikuan, një humbje me Poloninë qëndron, por me Hungarinë duhet të fitojmë se s’bën, çdo ndeshje është vendimtare në këtë pikë, jemi akoma në lojë. E dimë që Hungaria ka skuadër të mirë dhe cilësore, por ne duhet të jemi të përqendruar
Trajneri kundërshtar? Filozofia e gjithsecilit është e ndryshme, nuk ka të thotë se është italian dhe do luajmë njësoj. Në planin difensiv dhe fizik janë të fortë. Ne kemi lojtarë të shpejtë që mund t’i zëmë në befasi. Formacionin e vendosim nesër. Kemi tre mungesa dhe për këtë shkak duhet mbase të ndryshoj vendosjen e ekipit.
Me Poloninë mirë në sulm dhe jo në mbrojtje. Nëse bëjmë një analizë preçize, ne shkuam 16 herë në portë ata 5 herë. Goditëm më shumë se ata portën. Kur pëson katër gola, kuptohet që kemi bërë keq dhe gabimet ishin individuale. Të gjithë thonë se pas golave kemi bërë keq në mbrojtje. Golat nuk erdhën nga gabimet taktike, skema do jetë e njëjtë. Kemi edhe Bajramin.
Broja në gjashtë ndeshje ka treguar veten e tij, ka të ardhme por nuk më ka dhënë atë që pres. Do jetë në stol dhe do mbështetem te ai nëse më duhet. Do mendoj deri nesër në mëngjes për skemën dhe për Bajramin nëse do jetë.
Në eliminatore çdo ndeshje është vendimtare, Anglia është favorite grupi. Ne kemi detyrë që çdo ndeshje në shtëpi të marrim fitore, Hungaria është kundërshtar direkt dhe ndeshje jetike për ne.
Në botën e sotme, nuk është e vështirë për të gjetur informacione. Nuk është e nevojshme për të folur me Uzunin, për të mësuar si luan Hungaria. Kemi një staf që na jep informacionin e duhur. Uzunin mund ta pyes për Ferencvaros, por jo për Hungarinë. Ka shumë mundësi që Uzuni të jetë titullar nesër, pasi e kam parë shumë të motivuar.
Tifozët? Jam shumë i lumtur që tifozët rikthehen në stadium. Futbolli është sporti më i adhuruar. Nuk ka kuptim pa tifozët. Nëse ne e kemi mbështetjen e tyre, do jemi akoma më ët fortë. Ndeshjet pa tifozë dukeshin si miqësore. Ndihem shumë mirë që do të kemi tifozët në stadium.
Trajnerin e Hungarisë e njoh shumë mirë. E njoh dhe e vlerësoj shumë. Është një trajner që ka treguar se është shumë i aftë. Hungaria pikën më të fortë ka frymën e kolektivit. Kanë një grup që sakrifikojnë,. Është shumë ë vështirë për t’i çarë në mbrojtje. Ne do bëjmë të mundur që t’i tërheqim dhe të lënë hapësira prapa.”, u shpreh Reja.



