
Superiorja do të luajë ditën e shtunë javën e parafundit të kampionatit, me 5 sfida interesante.
Me titullin kampion dhe skuadrat e rëna nga kategoria të vendosura, vëmendja kalon te lufta për Europën. Partizanit i mjafton fitorja ndaj Kastriotit, për të siguruar edhe matematikisht vendin e tretë.
Para sfidës, trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti, deklaroi se skuadra e tij e ka vetë në dorë fatin për objektivin minimal të këtij sezoni.
Kastrioti është një skuadër që interpreton shumë mirë fazën defensive dhe do ta kemi me shumë vështirësi sesi do të shkojmë te porta e kundërshtarit. Jam fokusuar te skuadra ime, gjatë gjithë kampionatit jemi munduar që të shohim vetëm rivalin e radhës.
Çdo gjë është në dorën tonë, nesër nëse arrijmë të dalim fitimtarë e kemi arritur objektivin minimal që ka pasur klubi. Në momentin që kam marrë në drejtim skuadrën në muajin janar, biseda ka qenë shumë normale dhe profesionale me presidentin dhe drejtorin sepse analizuam gjendjen e skuadrës që ishte në dy fazat e para dhe i gjithë objektivi ishte që ekipi të ndryshonte mentalitetin, mënyrën sesi e interpreton lojën që Partizani nuk e meritonte në ato situata kritike sepse kemi qenë tre pikë nga skuadrat që rrezikonin rënien. Ka qenë një moment delikat sepse nëse nuk arrije pikët mund të kaloje në ngërç psikologjik dhe të merrte rrjedhë ndryshe rruga e Partizanit.
Skuadra tjetër që lufton për Europën, Vllaznia pret në “Loro Boriçi” Egnatian, në një sfidë ku fitorja për shkodranët është detyrim. Këtë e di edhe trajneri Mirel Josa, i cili do të bëjë debutimin në stolin e kuqebluve dhe zbuloi se në sfidës e së shtunës do të ketë ndryshime.
Ndryshimet bëhen për mirë. Edhe nesër mendojmë ta kemi me disa ndryshime, jo në emra lojtarësh, por në mënyrën e lojës. Egnatia, skuadër e vështirë. Duhen respektuar të gjitha ekipet, aq më tepër kur Vllaznia këtë sezon nuk ka fituar kundër Egnatias. Nga gjysma e dytë e kampionatit vijnë në konsolidim nga ndeshja në ndeshje dhe kanë zhvilluar sfida të mira, si ndaj Vllaznisë, por edhe me të tjerat që kanë luajtur sepse kanë cilësi.
Në sfidat e tjera të ditës së nesërme, spikat derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Tiranës, apo edhe Kukësi-Skënderbeu, pa harruar edhe përballjen mes Laçit dhe Kukësit.



