
Pas dhunës së të dielës në stadiumin “Selman Stërmasi”, Komisioni i Disiplinës në FSHF ka ndëshkuar dy skuadrat. Kështu, KF Tirana është dënuar me katër ndeshje pa spektatorë si dhë gjobë në masën 500 mijë lekë. Sipas Komisionit të Disiplinës, në ndeshjen e datës 29 shtator, KF “Tirana” ka dështuar në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër FK “Partizani”, duke mos vlerësuar nivelin e riskut, duke mos garantuar zbatimin e ligjit, mbarëvajtjen e rregullit dhe qetësisë në stadium, si dhe për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke shfaqur materiale propoganduese me të cilat kryhen provokime me karakter politik dhe shoqëror.
Për të njëjtin incident që i parapriu përballjes me Tiranën është dënuar edhe Partizani. FK “Partizani” është dënuar me dy ndeshje pa spektatorë dhe gjobë në masën 100 000 lekë.
Po ashtu, Komisioni i Disiplinës vendosi t’u ndalojë përjetësisht hyrjen në stadium tetë tifozëve të përfshirë në incidentin e dhunshëm të së dielës së shkuar.



