
Trajneri Ardi Behari, analizoi në emisionin “Skaner” në MCN TV, fitoren 3-0 të Tiranës në gjysmëfinale ndaj Teutës.
Sipas tij, ndeshjen nuk e humbi Teuta, por e fitoi Tirana. Behari deklaroi se bardheblutë kanë fituar pjekurinë, për ta çuar ndeshjen, atje ku ata dëshirojnë.
Nuk mund të themi se Teuta është në momentin më të keq. Javën e fundit në kampionat, fituan dhe bindën me lojë. Nuk e pamë sot këtë Teutë. Tirana u kujdes shumë për izolimin.
Tirana është ajo Tiranë, pragmatiste dhe racionale. Nuk e humbi Teuta ndeshjen, por e fitoi Tirana. Nuk humbën kohë në prapavijë kur kishte presing lart. Dilnin me topin dhe digjnin linjën me një pasim. Nuk i jepte mundësinë Teutës që të bënin presion te mbrojtësit.
Kjo është zotësi e Tiranës, që luan me lojtarët midis linjave dhe del e shfrytëzon individin. Bardheblutë i kanë individët për të zgjidhur ndeshjen dhe pastaj gjëja vete aty ku do Tirana ta çojë. Tirana ka pjekurinë që ta çojë ndeshjen atje ku dëshiron.



