
Trajneri Ardi Behari, mendon se zëvendësimet e Partizanit ne derbi ndaj Tiranës, u bënë në kohën e gabuar.
Sipas tij, me largimin e sulmuesit Mba, të kuqtë humbën pikën e referimit në sulm. Behari deklaroi në emisionin “Skaner” në MCN TV, se nuk e kuptoi tërheqjen e Partizanit, pas shënimit të golit të parë.
Edhe koha për ato zëvendësime, nuk ishte e duhura. Kur barazoi Tirana, doli Mba. Nëse ka pritshmëri për të nxjerrë skuadrën nga sikleti, nuk hiqet sulmuesi. Ishte pikë referimi, me largimin e Mba, Partizani humbi çdo pikë referimi që kishte në sulm.
Ajo që solli pak pështjellim, në gjykimin tim, ishte pjesa pas golit të parë, tërheqja e skuadrës. U tërhoqën në metrat e fundit, me të gjithë lojtarët poshtë linjës së topit.
Tirana i kishte bërë llogaritë, sipas situatës ku ishin. Tirana e kishte përgatitur lojën, me rinisje të shpejta. Ata e dinin vetë situatën e tyre. Nuk e kuptova atë nxitimin për të bërë 5 zëvendësime në kohë aq të shkurtër te Partizani.



