Klubi i Kastriotit, ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, pas vendimit të FSHF, për të shtyrë ndeshjen ndaj Bylisit. Sipas klubit krutan, distancohet nga akuzat për kërcënim ndaj arbitrave dhe kërkojnë të zbardhet sa më shpejt kjo histori, që prish imazhin e Kastriotit.
Gjithashtu klubi e quan si një akuzë të rëndë atë për ndeshjen e javës së kaluar, ku thuhet se arbitri anuloi golin pas kërcënimeve.
REAGIMI I KASTRIOTIT:
Pas njoftimit zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit për shtyrjen e ndeshjes Kastrioti-Bylis për një datë të pacaktuar, ku në njoftimin e mbërritur deklarohet që arbitrat janë kërcënuar, klubi Kastrioti është i detyruar të dalë me këtë reagim. Ne si klub distancohemi nga këto akuza dhe bëjmë thirrje organeve kompetente që të zbardhin sa më shpejt këtë histori të shëmtuar, e cila prish imazhin e klubit tonë, por dhe të futbollit shqiptar në përgjithësi.
Në deklaratën e Federatës Shqiptare thuhet që edhe në ndeshjen e javës së kaluar midis Kastriotit dhe Laçit arbitrat paskan qenë të detyruar që nga kërcënimet të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Ne jemi të gatshëm të përballemi me realitetin dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe të zbardhin të vërtetën për këtë akuzë të rëndë. KS Kastrioti distancohet në mënyrë kategorike nga çdo lloj ngjarje që njollos lojën e bukur të futbollit.



