Dita e djeshme ishte e fundit, përsa i përket meraktos së dimrit. Skuadrat e Superiores bënë përforcimet, por sipas menaxherit të lojtarëve, Andi Matraxhiu, skuadrat nuk morën lojtarë aty ku kishin nevojë. Në emisionin “SportZone” në MCN TV, Matraxhiu tha se ekipet shqiptare nuk riparuan problemet e shfaqura në fazat e para, por morën futbollistë në repartet e tjera.
“Merkato e janarit nuk të jep shumë mundësi zgjedhje. Ka edhe lëvizje cilësore, por janë të pakta, në verë është ndryshe.
Tirana ka bërë lëvizje shahu. Skuadrat e tjera, nuk kanë riparuar problemet, por kanë marrë lojtarë në reparte të tjera. Tentojnë lojtarë që duken të mirë në video, por kur shikojnë pagën e tyre, tremben. Gjëja e mirë paguhet. Pjesën financiare e kemi edhe si tabu.
Këta që janë aktivuar jashtë, kampionatin shqiptar e shikojnë si zgjedhje të fundit. Siç ishte rasti i Balajt me Vllazninë dhe pastaj iku në Turqi. Unë mendoj se nuk duhet të synohen këta lojtarë nga klubet shqiptare.
Largimi i Lushkja? Është në momentin e duhur për t’u larguar. Ishte në momentin e duhur për t’u larguar, plus klubi mori disa të ardhura. Çmimet e lojtarëve janë sipas nivelit të futbollit.
Kukësi me Shkurtajn, Gligorov, Musta dhe Pëllumbi, janë lojtarë vendas, që e njohin kampionatin. Mendoj se verilindorët kanë bërë merkato të mirë. Tirana ka bërë lëvizje të pakta. Duhen 2-3 javë të tjera, për të parë Partizanin real me afrimet e bëra. Teuta duhet të kishte bërë më mirë në mbrojtje.”, u shpreh Matraxhiu.



