
Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric i konsideron si justifikime të ulëta ato të trajnerit të Partizanit, Ilir Daja, për mungesë të topave në fushë në ndeshjen e mesjavës. Duke folur para mediave në prag të ndeshjes me Skënderbeun, Brdaric tha se nuk mund të nënvlerësohet skuadra korçare, duke kërkuar përqendrim maksimal nga të tijtë.
“Ne jemi profesionistë dhe mendoj se është e nevojshme që të jemi lart me paraqitjen. Duhet të vazhdojmë trendin e rezultateve dhe të përqendrohemi në gjërat thelbësore.
Mendoj se ekipi ka vetëbesim. E kam thënë gjithmonë se nuk kemi vetëm 11 lojtarë. Kemi disa lojtarë që janë gati dhe duan rastin për të marrë shansin për nesër. Janë gati për të treguar veten dhe të tregojnë se janë të rëndësishëm në ekip.
Skënderbeu, për mua është një ekip interesant, me disa lojtarë që vlejnë. Kanë bërë ndeshje të mira. Dimë sesi të përballemi me këto lloj skuadrash. Duam që nesër të shkaktojmë humbjen e tyre. Të përballemi me ta me përqendrim dhe të tregojmë sa vlejmë.
Qëllimi ynë është të mbyllim zonën me ekipet që janë para. Nesër është betejë e re, sepse në të shkuarën nuk e kemi bërë këtë, afrimin me vendet sipër. Nuk mund ta nënvlerësojmë Skënderbeun.
Deklarata e Dajës? E kuptoj pak që është nevrik pas ndeshjes. Janë justifikime të ulëta, të përqendrohet tek ekipi i tij dhe unë te imi”, tha Brdaric.



