Kombëtarja e Iranit ka lënë një mesazh falënderimi për qytetin pritës të Kupës së Botës, Los Angeles, pas barazimit 0-0 ndaj Belgjikës të dielën, rezultat që i mban gjallë shpresat e skuadrës për kualifikimin në fazën tjetër të turneut.
Los Angeles ka qenë mikpritësi i dy ndeshjeve të para të Iranit në këtë Botëror, ndërsa sfida e radhës për iranianët do të zhvillohet në Seattle përballë Egjiptit.
Gjatë gjithë turneut, për shkak të kufizimeve të udhëtimit, përfaqësuesja iraniane është vendosur në Tijuana të Meksikës, pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara, duke udhëtuar drejt SHBA-së vetëm për ndeshjet.
Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi te trajneri dhe futbollistët iranianë, të cilët janë ankuar për vështirësitë logjistike.
“Nga Persia e lashtë e mijëra viteve më parë deri te Irani i qytetëruar i ditëve të sotme, shpirti i Iranit mbetet i gjallë dhe i palëkundur. Erdhëm në Los Angeles me krenari, garuam me nder dhe u larguam me dinjitet. Faleminderit Los Angeles për mikpritjen tuaj”, thuhej në mesazhin e shkruar me dorë, i publikuar më pas në Telegram nga Federata e Futbollit e Iranit.
Në fund të shënimit, kombëtarja iraniane falënderoi edhe tifozët e saj, ndërsa bëri thirrje për “paqe, respekt dhe miqësi” mes të gjitha kombeve.



