
Trajneri i Polonisë, Paulo Sousa ka folur në konferencë për shtyp, një ditë para ndeshjes me Shqipërinë e cila do të zhvillohet ditën e nesërme në stadiumin “Air Albania” duke filluar nga ora 20:45. Është një sfidë shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat dhe vetë trajneri i polakëve është shprehur se ndeshja e nesërme vlen gjithçka. Më tej ai vlerësoi maksimalisht Shqipërinë, duke thënë se trajneri Reja ka një ekip shumë të fortë.
“Që në ditën e parë ne kemi kaluar shumë faza dhe mënyra më e mirë është për të qenë koherentë. Unë i jap rëndësi mentalitetit të ekipit dhe jemi shumë të fokusuar në lojën tonë. Ne bëjmë presing shumë të mirë në lojën pa top, gjë që nuk e bënim dot në ndeshjet më përpara. I kam dhënë theks lojës kolektive kryesisht, por edhe asaj individuale.
Nuk fokusohemi vetëm te një lojtar, por te i gjithë grupi, megjithatë duhet të arrijmë rezultate, për të rritur konfidencën. Sa u përket ndeshjeve, duhet të kemi mentalitet të njëjtë për përballimin e tyre, por strategji të ndryshme. Kjo ndeshje me Shqipërinë vlen gjithçka.
Nuk ka sekrete, Reja ka bërë një ekip mjaft të fortë dhe do jetë një ndeshje e vështirë, pasi Shqipëria është ekip kompakt. Ndeshja e parë ishte e balancuar, por ne ishim efikasë në rastet e krijuara. Shqipëria ka lojtarë kyç në pozicione të caktuara dhe do jetë një ndeshje e fortë.
Për formacionin kam dy dyshime, pasi duhet të verifikojmë mirë gjendjen e lojtarëve, ndaj do të vendosim vetëm nesër se kush do të zbresë në fushë.”, u shpreh Sousa.



