
Sandro Tonali është një nga zbulimet dhe lojtarët më të mirë te Milani këtë sezon, me kuqezinjtë që janë vetëm dy ndeshje larg titullit kampion.
Ditën e djeshme, mesfushori festonte 22-vjetorin e lindjes dhe nuk mund të kishte dhuratë më të mirë për të, se dopieta e golave në përmbysjen e Milanit ndaj Hellas Veronës.
Pas ndeshjes, Tonali u shfaq shumë i lumtur, ndërsa deklaroi se kur fiton Milani, ai gëzohet dyfish, pasi është tifoz i kuqezinjve.
Ishte një natë e mrekullueshme për mua dhe gjithë tifozët e Milanit. Jemi një ekip i fortë, pasi shënuam tre gola me përmbysje në një stadium të vështirë. Unë jam një tifoz i Milanit, gëzohem dyfish kur fitojmë. Është një avantazh për mua fakti që jam tifoz i Milanit.
Kur shënova golin e 2-1, u ndjeva si tifoz. Ia bëra vetes dhuratën për ditëlindje, por edhe Milanit. Shijuam një mbrëmje që do e mbajmë mend gjatë. Tani fokusi tek Atalanta.
Kur ai nis e flet do të thotë që ai ka diçka të rëndësishme për të thënë. Zlatan dëshiron të fitojë gjithmonë, edhe kur ndodhet në pankinë.



