
Pas miqësores me Uellsin, ku barazuam 0-0, Shqipëria do të zhvillojë një tjetër test miqësor ditën e nesërme, këtë herë ndaj Republikës Çeke. Në prag të kësaj sfide, në konferencë para mediave, ka folur trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja. Ky i fundit ka vlerësuar kundërshtarin, ndërkohë që ka shtuar më tej se nesër pret një Shqipëri ndryshe.
“Pas një ndeshje të lodhshme si ajo me Uellsin, sigurisht që do të bëja vlerësimet e mia për grupin që kam. Ishte një ndeshje impenjative dhe e lodhshme, ku lojtarët kanë shpenzuar shumë energji. Do të pres deri nesër në megngjes, që të bëj një vlerësim për të gjithë lojtarët që u aktivizuan 90 minuta, por edhe për të tjerët. Pasi ta kem bërë këtë, më pas do të marr një vendim për gjendjen e gjithësecilit prej tyre. Unë mendoj se Çekia është në një nivel me Uellsin. Kanë lojtarë shumë të shpejtë dhe luajnë mirë në kundërsulm. Më e rëndësishmja është se nuk humbasin aspak kohë. Luajnë shumë mirë me topat e gjatë, dinë të shfrytëzojnë hapësirat dhe të vendosin në vështirësi në çdo moment. Në krahasim nga ndeshja e kaluar, ne presim që të shfaqim përmirësime në këtë sfidë, sidomos në fazën sulmuese dhe siç e thashë në ndeshjen me Uellsin, duhet të bëjmë mirë në kundërsulm. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që mbrojtja është reparti më i konsoliduar dhe ka bërë shumë mirë, por duhet të bëjmë përmirësime në fazën e sulmit dhe të tregojmë që kemi bërë hapa para. Kjo ndeshje është me të vërtetë një test për ne, në mënyrë që të provojmë fazën sulmuese dhe të krijojmë sa më shumë raste. Jam i bindur se me kalimin e kohës do të përmirësohemi dhe këtë do e shikojmë që në këtë ndeshje.
Humbja e Çekisë ndaj Italisë? Sigurisht që në një ndeshje miqësore nuk është njësoj si një ndeshje zyrtare. Në ndeshjet miqësore, sidomos në këtë moment skuadrat bëjnë fazën koaluduese fizike përpara nisjes së Europianit dhe fokusi me përqëndrimin nuk është njësoj si në miqësore dhe në zyrtare. Mund të them që Çekia është një kundërshtar shumë i fortë, me lojtarë shumë të aftë, sidomos në fazën sulmuese por duhet të pranojmë që Italia është një nga ekipet më të forta në Europë për momentin, që nuk ka pësuar asnjë humbje në eliminatoret e Europianit dhe ka një skuadër me shumë vlera. Një nga kandidatët për të fituar Europianin sipas mendimit tim, së bashku me Francën dhe Anglinë. Por sigurisht Uellsi dhe Çekia janë dy skuadra që mund të jenë elementë surprizë në këto finale dhe mendoj se duhen respektuar.
Sulmi i Shqipërisë? Sigurisht që do ketë ndryshime dhe do shikoj deri në moment të fundit, qoftë dhe formën e Seferit dhe Cikalleshit dhe do të marr në konsideratë deri nesër në mëngjes, kur unë të bëj analizat e mia dhe do të vendos se cilët lojtarë do të hedh në sulm. Edhe në mesfushë mbase do të kem ndonjë ndryshim, por do të flas me lojtarët se si ndihen, nëse një pjesë e tyre ndihen mirë, sigurisht që do t’i marr parasysh dhe pastaj do të marr vendim. Patjetër që edhe në pjesën e dytë të takimit do të ketë ndryshime në formacion dhe do të përpiqem të aktivizoj të gjithë lojtarët patjetër, por luajmë kundër një skuadre të fortë si Çekia, kështu që kam bindjen se duhet të luajmë me lojtarët që janë më shumë në formë dhe që kanë më shumë eksperiencë.”, u shpreh Reja.



