
Futbollisti i Monzas, Pablo Mari, ka përjetuar momente tmerri mbrëmjen e djeshme, në një qedër tregtare në Milano, kur u sulmua me thikë nga një person me çrregullime mendore.
Ky i fundit ishte futur në qendrën tregtare, dhe kishte sulmuar me thikë të gjithë që i dilnin përpara. Futbollisti Mari u godit me thikë në kurriz, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Lojtari spanjoll, deklaroi se ndjeu një dhimbje në shpinë, ndërsa shtoi se pa agresorin, të godiste me thikë një tjetër person para tij në fyt, i cili më pas ndërroi jetë.
Mari ishte së bashku me bashkëshorten e tij dhe djalin e vogël në karrocë, në momentin që u sulmua. Menjëherë pas sulmit, lojtari u transportua në spital, duke iu nënshtruar operacionit, i cili do e lërë jashtë fushave për të paktën 2 muaj.
Ish-lojtari i Interit, Massimo Tarantino, i ndodhur aty, ndaloi agresorin, duke ia larguar thikën dhe e mbajti deri sa mbërriti policia.
Zëvendëspresidenti i Monzas, Adriano Galliani, shkurtimisht u shpreh se skuadra është e shokuar nga kjo ngjarje, teksa tha se ka parë lojtarët të qanin pasi morën vesh lajmin. Gjithashtu ai u shpreh se klubi ka kërkuar shtyrjen e ndeshjes me Bolognan, pasi e kanë të pamundur të luajnë në këtë situatë.



