Juventusi rrezikon përjashtimin nga kupat e Europës. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, UEFA po zhvillon një hetim për bardhezinjtë, për mashtrim në lidhje me të ardhurat e klubit.
Hetimi i UEFA-s, po zhvillohet paralelisht me atë të gjykatës italiane dhe në rast se kjo e fundit nuk ka një vendim deri në korrik, atëherë institucioni më i rëndësishëm i futbollit në Europë, do të dënojë klubin nga Torino.
Shpresa e vetme e organit europian është që vendimi i Italisë mund të arrijë deri në fund të qershorit dhe një marrëveshje për pranimin e fajësisë mund t’i shpejtonte gjërat. Nëse drejtësia italiane ecën ngadalë, atëherë do të vendosë komisioni i “Fair Play” të UEFA-s.
Kujtojmë se Juventusit pak ditë më parë iu rikthyen 15 pikët e hequra për plusvalencat, duke e kthyer skuadrën në garë për një vend në Champions, por UEFA mund të japë një tjetër goditje për bardhezinjtë, që rrezikojnë përjashtim për një vit nga kompeticionet europiane.



